Fon der Lajen mbyll fushatën, akuzoi partitë e ekstremit të djathtë se po përpiqen të shkatërrojnë Europën
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Fon der Lajen (Ursula von der Leyen) akuzoi të premten partitë e ekstremit të djathtë se po përpiqen të shkatërrojnë Europën.
“Europa e sotme është një dhuratë e madhe”, tha ajo në takimin përmbyllës të fushatës së Unionit Kristiandemokratë në Gjermani për zgjedhjet europiane. “
Europa po sfidohet si kurrë më parë nga populistët, ekstremistët dhe demagogët” – tha ajo duke iu referuar partive të ekstremit të djathtë në Gjermani, Francë dhe vende të tjera.
“Këta ekstremistë kanë një gjë të përbashkët, ata duan të dobësojnë dhe shkatërrojnë Europën tonë,”- u shoreh presidentja në largim e KE-së duke premtuar se nuk do ta lejonte kurrë që të ndodhte një gjë e tillë.
65-vjeçarja Fon der Lajen ishte presidente e organit ekzekutiv të Bashkimit Europian që nga viti 2019 dhe përballoi sfida të jashtëzakonshme që nga Brexit te pandemia e koronavirusit dhe deri te pushtimi rus i Ukrainës.
Ajo shihet si favorite kryesore për një mandat të dytë në krye të Komisionit Europian, por diplomatët paralajmërojnë se kandidatura e saj mund të hasë në vështirësi.
Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë, pjesë e së cilës është edhe diplomatja 65-vjeçare, parashikohet të mbetet grupimi më i madh në Parlamentin Europian, por për të marrë mbështetjen e tij, Fon der Lejen do të duhet së pari të fitojë mbështetjen e 27 liderëve të BE-së dhe më pas votën e parlamentit të ri me 720 anëtarë.
Gjatë fushatës zgjedhore, ajo paralajmëroi se në të ardhmen mund të bashkëpunojë me disa parti të ekstremit të djathtë, përfshirë atë të kryeministres italiane Xhorxha Meloni, gjë që ka zemëruar partnerët tradicionalë të PPE-së, mbështetja e të cilëve mund të jetë vendimtare për Fon der Lajen gjatë votimit në Parlamentin e ri Europian.