Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj fton shkrimtarët të aplikojnë për botimin e dorëshkrimeve

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit hapi një thirrje dedikuar gjithë shkrimtarëve të rinj të cilët janë të interesuar të botojnë dorëshkrimet e tyre.
“Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj, është një mundësi për të gjithë ju. Thirrja u drejtohet lëvruesve të poezisë dhe prozës nga mosha 18 deri 35 vjeç”, thuhet në një postim që QKLL ka bërë në rrjetet sociale.
Aplikimet në Fondin e Krijimtarisë Letrare për të Rinj, nisin nga sot dhe përfundojnë pas një muaji, më 5 mars 2024. Aplikimi duhet të kryhet nga një botues i pajisur me licencë përkatëse, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor. QKLL bën me dije se, aplikimet do të dorëzohen në formë të printuar, dorazi ose në rrugë postare, në zyrën e Protokollit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit brenda datës 5 mars, ndërsa shuma e financimit për mbështetjen e procesit krijues të veprës, do t’i paguhet drejtpërdrejt botuesit.