Forbes: Shqipëria e të gjitha shijeve, me vendet e paprekura nga turizmi masiv

Prestigjiozja amerikane “Forbes” ka zgjedhur Shqipërinë në listën e vendeve të paprekura nga turizmi masiv duke propozuar një itinerar udhëtimi nëpër fshatra, ferma, shtigje e rafting në Vjosë përshkruar përmes mikpritjes së përzemërt, përvojës mes barinjve, fermerëve, verërave e ushqimit tradicional.
“Shqipëria dallohet për shkëlqimin e saj në ferma, shtigjet malore më pak të eksploruara dhe mikpritjen e ngrohtë. Në këtë vend mund të shijoni kulturën e vendit, ushqimin dhe bujqësinë përmes kulinarisë së saj, apo peizazhet e mahnitëse gjatë udhëtimit apo ecjeve në këmbë.
Në fshatrat e Shqipërisë do të priteni nga fermerët dhe banorët vendas, do takoheni me barinj dhe do të shijoni prodhimet e tyre apo verën vendase nga tryezat e vogla e deri tek agroturizmet.
Aventurat përfshijnë ecje prej pesë deri në gjashtë orë në ditë në terrene të paprekura malore, ose mund të shijoni rafting në lumin e egër Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës”, shkruan Forbes.
Ky artikull është shpërndarë edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se ky shkrim rrëfen “të gjitha shijet e Shqipërisë”.