“Formacioni i ëndrrave” sipas Benzema, francezi surprizon me zgjedhjet
Në verë Karim Benzema u transferua tek Al Ittihad në Arabinë Saudite, por sulmuesi francez nuk i ka harruar vitet që ka kaluar në Madrid. Ose të paktën disa prej tyre. Sepse lojtari është bërë protagonist i një loje argëtuese, që ka hapur shumë polemika, madje ka bërë xhiron e rrjetit.
Benzema duhet të zgjidhte mes ish-shokëve të skuadrës dhe kundërshtarëve formacionin e tij të ëndrrave. Sulmuesi ka përzgjedhur 11 lojtarë, duke iu referuar kryesisht viteve të kaluar në Spanjë me fanellën e Realit.
Dani Alves (ish-Barcelona), Pepe, Sergio Ramos e Marcelo janë katërshja e mbrojtjes, ndërsa porta i është besuar Manuel Neuerit. Në mesfushë Benzema ka preferuar bashkëatdhetarët e tij, duke zgjedhur Paul Pogba dhe Claude Makelele, duke lënë jashtë formacionit ideal emra të njohur si Luka Modric dhe Toni Kroos.
Por surpriza e vërtetë vjen nga reparti ofensiv, ku mungon ish-shoku i skuadrës Cristiano Ronaldo dhe kundërshtari Lionel Messi. Benzema ka zgjedhur 4 emra të njohur për repartin e avanacuar. Sulmi përbëhet nga Ronaldo, Ronaldinho, Zidane dhe vetë francezi. Videoja është publikuar në rrjetet zyrtare të Al Ittihad dhe po tërheq vëmendjen e të gjithë rrjetit.