Formacioni, Silvinjo ndryshon lojtarë, por jo objektiv
Mbrëmja e sotme do të jetë një shans i mirë për shumë futbollistë, të cilët nuk kanë mundur të kalojnë shumë kohë në tapetin e blertë si protagonist gjatë eliminatoreve “Gjermani 2024”. Me shumë mundësi Silvinjo do të provojë lojtarë të rinj edhe pse siç e theksoi në konferencën e djeshme për shtyp kërkon me doemos vendin e parë në grup.
“Ylli polar” i ekipit është Etrit Berisha. Portieri i Empolit do të jetë rregullisht në fushë ndërsa përpara tij do të operojnë tre nga katër “titullarët” fiks. Mitaj, Gjimshiti dhe Ismajli do të bashkëpunojnë kësaj radhe me Balliun, i cili i merr vendin Hysajt.
Në mesfushë, Ramadani duket i paprekshëm i cili në këto kualifikuese i ka minutat e plota duke qenë i vetmi që e ka nisur gjithmonë titullar dhe nuk është zëvendësuar asnjëherë. Krah mesfushorit të Leçes pritet të jetë Keidi Bare.
Në 11-shen titullare mund të rikthehet Myrto Uzuni, i cili do të vendoset në krahun e majtë të sulmit. Titullar në këtë sfidë pritet të jetë dhe Muçi, që do të vendoset pas Dakut, me këtë të fundit që zë vendin e Sokol Çikalleshit. Ndëra në krahun e djathtë të sulmit, Silvinjo mendohet t’i besojë përsëri Jasir Asanit dhe të majtës së tij vrastare.