Fqinjët e Sllovakisë rivendosin kontrollet në kufi për shkak të emigracionit ilegal
Republika Çeke dhe Polonia kanë rivendosur kontrollet kufitare me Sllovakinë për të ndalur valën e emigrantëve dhe kontrabandës.
Kontrollet nisin nga e mërkura dhe do të zgjatin për 10 ditë.
Emigracioni i paligjshëm ishte një temë kyç në zgjedhjet e javës së kaluar në Sllovaki, ndërsa Polonia do i mbajë në fund të muajit.
“Kjo është masë e nevojshme për të luftuar me efikasitet grupet që fusin klandestinë në vend dhe emigracionin e paligjshëm,” shkroi të martën ministri i Brendshëm çek, Vit Rakusan.
Homologu i tij polak u shpreh se vendimi për kontrollet kufitare është bërë i nevojshëm, pasi “në javët e fundit kemi kapur 551 emigrantë ilegalë në kufi me Sllovakinë”.
Kontrollet në kufi me Sllovakinë do të jenë rastësore dhe do të aplikohen gjatë gjithë kufirit. Qeveria sllovake ka thënë se do të reagojë me masa kundër Çekisë dhe Polonisë.
Sllovakia ka vërejtur rritje të numrit të klandestinëve, të cilët si destinacion kanë Gjermaninë dhe Europën Perëndimore. Emigrantët janë kryesisht burra të rinj nga Lindja e Mesme dhe Afganistani, që vijnë nëpërmjet rrugës “ballkanike”, përmes Hungarisë dhe Serbisë.