Franca fiton “Junior Eurovision Song Contest 2023”, Shqipëria renditet e 8-ta
Franca ka triumfuar në Festivalin e të rinjve 2023. Festivali që u zhvillua në Nisë dhe që u transmetua drejtpërdrejt në RTSH 1, solli në skenë 16 këngëtarë nga po kaq vende, ku midis tyre performoi edhe Viola Gjyzeli nga Shqipëria.
Pas votimit të shteteve përkatëse dhe pas votimit të jurisë profesioniste, Franca arriti të fitonte me këngëtaren e talentuar Zoé Clauzure “Cœur” (Zemra).
Ndërkaq, Shqipëria u rendit në vendin e tetë me këngëtaren Viola Gjyzeli e cila interpretoi e 13-ta në radhë në gjuhën shqipe me këngën “Bota ime”.
Në të 16 vendet konkurruese por edhe shtete të tjera të botës shikuesit votuan për këngët e tyre të preferuara në dy alternativa: Votimi online para spektaklit, ku votimi bazohej në fragmente të provave, dhe votimi online gjatë spektaklit ku shikuesit mund të votonin gjatë 15 minuta pas performancës së fundit.
Gjithashtu, juritë kombëtare dhe votimi online përcaktuan secila 50% të rezultatit.
Historia e Junior Eurovision
Në vitin 2000, transmetuesi Danish Radio (DR) mbajti një konkurs këngësh për fëmijë, dhe në vitin 2002 “MGP Nordic” u mbajt së bashku me Suedinë dhe Norvegjinë. EBU zgjodhi idenë për një konkurs kënge me fëmijë, dhe konkursi i parë i këngës për Junior Eurovision u mbajt në 2003 në Kopenhagen me 16 vende pjesëmarrëse.
Në atë kohë, Junior Eurovision bazohej në argëtimin për fëmijët në mbarë Evropën. Që atëherë ajo është shndërruar në një kopje të “Eurovisionit për të rritur”.
Junior Eurovision është i hapur vetëm për fëmijët e moshës 9 deri në 14 vjeç.