Franca presion Turqisë dhe Hungarisë: Ratifikoni pranimin e Suedisë në NATO
Franca ka ushtruar presion ndaj Turqisë dhe Hungarisë për të ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO .
Gjatë një konference për shtyp, Ministrja e Jashtme e Francës, Katerinë Kolona (Catherine Colonna) shprehu dëshirën për të parë Suedinë në NATO.
“Ne do të dëshironim të shihnim Suedinë në NATO dhe do të dëshironim të shihnim Turqinë dhe Hungarinë të zbatojnë angazhimin e tyre,” tha ajo.
Hungaria dhe Turqia hoqën veton ndaj anëtarësimit të Suedisë në Aleancë në korrik, por po vonojnë ratifikimin e anëtarësimit të saj
Kryeministri hungarez Viktor Orbán kohët e fundit vlerësoi se nuk ka “nevojë urgjente” për të ratifikuar pranimin, duke kërkuar “respekt” të parë nga vendi nordik.
Nga ana e tij, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se parlamenti turk nuk do të ratifikojë pranimin e Suedisë në NATO para tetorit.
Erdogan i ka bërë presion Suedisë prej muajsh që të ndërmarrë veprime kundër përdhosjeve të Kuranit që kanë acaruar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Nga ana e saj, Finlanda u bë anëtarja e 31-të e NATO-s në prill, pas tre dekadash neutraliteti ushtarak dhe në mes të një lufte në Ukrainë.