“Freedom House”: Goditja ndaj SPAK, pas luftës ndaj korrupsionit. Arrestimi i Berishës solli një fushatë frikësimi ndaj gjyqtarëve
Freedom House ka publikuar raportin “Vendet në Tranzicion 2024”, ku ndër të tjera ka folur edhe për drejtësinë dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Raporti ka vlerësuar punën e SPAK në goditjen e krimit dhe korrupsioni, si dhe nisjen e hetimeve dhe dënimin e zyrtarëve të lartë të politikës.
“SPAK-u ndërtoi historikun e tij mbresëlënës të luftës kundër korrupsionit duke akuzuar disa figura të fuqishme politike në vitin 2023. Në tetor, SPAK akuzoi Berishën për shpërdorim detyre dhe korrupsion për ndihmën e paligjshme të dhëndrit të tij për të privatizuar pronën publike si pjesë e një marrëveshjeje pronash të paluajtshme. Berisha nuk pranoi të angazhohej në gjykata dhe më 30 dhjetor u vendos në arrest shtëpie.”, thuhet në raport.
Në raportin e Freedom House thuhet edhe se “që kur Berisha u akuzua, mbështetësit e tij dhe fraksioni i Partisë Demokratike që ai drejton kanë nisur një fushatë të gjithanshme frikësimi dhe dezinformimi kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të SPAK”.
Pjesë e hetimeve të SPAK janë bërë edhe funksionarë të tjerë të lartë të shtetit si ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, Vangjush Dako, ish-kryebashkiaku socialist i Durrësit, ish-ministri i Financave dhe zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë Klodjan Rrjepaj dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn.
Freedom House shkruan se SPAK ka treguar një histori mbresëlënëse në nisjen e hetimeve të suksesshme kundër zyrtarëve kryesorë publikë dhe rrjeteve të krimit të organizuar, por shton se “agjencitë e zbatimit të ligjit nuk janë ende në gjendje të funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe janë nën ndikimin e politikanëve dhe rrjeteve të krimit të organizuar”.
Në luftën kundër krimit të organizuar, raporti thotë se shumë prokurorë të SPAK u kërcënuan me jetë.
“Prokurorët e SPAK-ut janë kërcënuar me jetë që nga goditja e këtyre rrjeteve të krimit të organizuar dhe vëzhguesit vendas kanë kërkuar rritjen e sigurisë për magjistratët e SPAK-ut”, thuhet në raport.