Frika nga sulmi iranian, Bajden premton mbështetje ‘të hekurt’ për Izraelin
Presidenti amerikan Xho Bajden (Joe Biden) i ka premtuar Izraelit mbështetjen e hekurt të SHBA-ve, mes frikës se Teherani mund të hakmarret pas sulmit izraelit.
Bajden paralajmëroi se Irani po kërcënon se do të kundërpërgjigjet ndaj sulmit izraelit që goditi konsullatën iraniane në Siri 10 ditë më parë.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur sigurinë e Izraelit”, shtoi ai.
Më herët të mërkurën (10 prill), udhëheqësi iranian tha se sulmi izraelit në Damask ishte i barabartë me një sulm ndaj vetë Iranit.
“Kur ata sulmuan zonën tonë të konsullatës, ishte sikur ata sulmuan territorin tonë. Regjimi i keq duhet të dënohet dhe do të dënohet”, tha Ayatollah Ali Khamenei.
Nuk është ende e qartë se çfarë forme do të kishte çdo sulm hakmarrës.
Që Irani të godasë drejtpërdrejt Izraelin do të rrezikonte një përshkallëzim edhe më të madh të konfliktit dhe analistët kanë thënë se Irani nuk ka aftësinë ushtarake për një konfrontim të rëndësishëm.
Një alternativë e mundshme është një sulm nëpërmjet një përfaqësuesi iranian si Hezbollahu, i cili shpesh kryen sulme më të vogla ndaj Izraelit nga Libani fqinj.
Ekspertët kanë sugjeruar gjithashtu se Irani mund të synojë Izraelin me një sulm kibernetik.