FSHF-RTSH, një bashkëpunim i frytshëm

Futbolli rikthehet në shtëpinë e tij. Radio Televizioni Shqiptar, në bashkëpunim dhe FSHF dhe me kompaninë Abissnet rikthen në ekranin e tij ngjarjet më të rëndësishme të futbollit shqiptar nën emrin “Abissnet Superiore”. Ceremonia e fillimit  të kampionatit është mbajtur pranë ambjenteve të shtëpisë së futbollit, ku ishin të pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Alfred Peza dhe  Presidenti i kompanisë Abissnet, Koço Kokëdhima. Në këtë ceremoni ishin pjesëmarrës dhe presidentët e klubeve të “Abissnet Superiore, drejtues sportivë, trajnerë e  gazetarë të botës së futbollit. Në përfundim e cermeonisë është zhvilluar dhe një konferencë ku të tre bashkëpunëtorët e një marrëveshjeje të suksesshme kanë mbajtur fjalimet e tyre.

I bindur që marrëveshja me RTSH ishte zgjedhja më e mirë, presidenti i FSHF-së Armand Duka ka thënë fjalën e tij në përfundim të ceremonisë.

“Sot kemi organizuar një ceremoni për të prezantuar fillimin e kampionatit apo edicionit të ri sportive për të falënderuar bashkëpunëtorët e rinj dhe të vjetër. Më kryesoret, këtu është RTSH-ja për marrëveshjen që kemi bërë për pasqyrimin e gjithë kampionateve të futbollit në Shqipëri. Duke nisur nga “Abisnet Superiore”, por dhe kampionatet e tjera.

Jam i bindur që kemi bërë gjënë më të mirë që kemi bërë marrëveshje me RTSH-në sepse është një televizion që mbulon çdo cep të Shqipërisë në këtë mënyrë do të çojë në çdo cep të Shqipërisë dhe futbollin duke e promovuar edhe më mirë.

Jam shumë i bindur që edhe nga ana e Federatës apo e klubeve të futbollit do të ketë një bashkëpunim shumë më të mirë dhe do të ketë akoma një edicion edhe më të mirë.

Unë e falënderoj drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së, Alfred Peza si dhe gjithë stafin e televizionit dhe jam shumë i bindur që do të bashkëpunojmë mirë për këtë vit”, është shprehur ndër të tjera Duka.

Futbolli në çdo shtëpi, ky është padyshim lajmi më i mirë siç shprehet Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Alfred Peza në këtë konferencë: “Ky sezon i ri radioteleviziv ka filluar me një lajm shumë të mirë për shqiptarët, për drejtuesit, gazetarët, punonjësit e RTSH-së, pasi futbolli u kthye në shtëpi dhe ne do e çojmë futbollin në çdo shtëpi shqiptare. Radiotelevizioni Publik Shqiptar ka një mbulim me sinjal të 100% të vendit, çka e bën futbollin, siç është në të vërtetë, loja më popullore dhe e dashur e shqiptarëve, të cilën kanë mundësinë ta shijojnë pa pagesë në ekranet e tyre. Ne do të transmetojmë 9 ndeshje në javë, rreth 500 euro transmetime vetëm futboll gjatë sezonit, pa llogaritur programet mes apo pas ndeshjeve bashkë me emisionet e tjera dedikuar futbollit shqiptar.

Nuk është vetëm pasqyrimi i ndeshjeve të Abissnet Superiores, Final Four, Superligës, Kategorisë së Parë apo Futbollit të Femrave ato që na gëzojnë në marrëveshjen e arritur me FSHF-në, por fakti që kemi një vullnet për ta shtrirë këtë bashkëpunim edhe në më shumë ekipe zinxhir, të moshave, fëmijët, pasi kemi si mision jo vetëm informimin e opinionit publik shqiptar, por edhe argëtimin e edukimin: edukimin fizik, shpirtëror, sportiv, të gjithë brezave. Janë rreth 23 mijë sportistë në të gjithë Shqipërinë dhe ne do të jemi pasqyra më e mirë ku çdokush të shikojë veten, pasardhësit, motrat dhe vëllezërit e tyre, në mënyrë që edhe ata të jenë pjesë aktive e edukimit. Sporti, futbolli, edukon të rinjtë edhe me shumë cilësi, siç është loja në ekip, sakrifica, shembulli pozitiv përmes modelit të atij që fiton.

Gjithashtu falënderojmë jo vetëm presidentin e FSHF-së, z. Armand Duka, për këtë marrëveshje, e cila është një nga lajmet më të mira, më të bukura, që ka dhënë RTSH kohët e fundit, por edhe z. Koço Kokëdhima. Besoj që ky bashkëpunim do të jetë i frytshëm dhe ne do të punojmë në maksimumin tonë që futbolli shqiptar të gjejë pasqyrim në të gjitha kanalet e radiotelevizionit publik shqiptar në mënyrë profesionale dhe në mënyrën më të mirë të mundshme për pritshmëritë e opinionit publik, që ata të rritin besimin te sporti shqiptar, të rikthehen gjithmonë e më shumë në stadiume dhe të kenë më shumë energji për të mbështetur ekipet tona, dhe për të krijuar një atmosferë gjithmonë e më pozitive e sportdashëse në Shqipëri”.

Nga ana tjetër edhe presidenti i Abissnet, Koço Kokëdhima  ka shprehur qëllimin dhe vlerësimin e tij për këtë bashkëpunim:

“Është një partneritet që synon të ngrejë në nivelet më të larta ekonominë shqiptare të futbollit dhe të krijoj një platformë ku talentet  e reja të rriten jo vetëm të shëndetshëm por edhe ne kontekstin e një industrie shumë konkurruese. Përmes këtij partneriteti ne duhet të ndihmojmë që të rinjtë e Shqipërisë të mos privohen këto ëndrra”.

“Dua të shpreh besimin që të gjitha kampionatet “Abissnet Superiore” do të jenë qartazi simbole të këtij përparimi që suportohet nga ky partneritet dhe i ftoj të gjithë shqiptarët ti besojnë këto kampionate, ti besojnë garat e fëmijëve tanë, djemve dhe vajzave të Shqipërisë dhe ti mbështetim me gjithë zemër duke e kuptuar që mbështetja jonë nuk është thjeshtë një kalim kohe por është një energji shumë ë madhe për të rritur në mënyrë të shëndetshme brezat e ardhshëm”.

“Dua që me këtë rast të falënderoj në mënyrë të posaçme FSHF dhe gjithë përkushtimin e tyre për ta çuar përpara futbollin e Shqipërisë. Zgjedhja e zotit Duka si president i UEFA-s është një mbështetje e madhe për të gjitha këto ambicie që ne ndërtojmë dhe suportojmë edhe përmes këtij partneriteti. Dua te falënderoj në mënyrë shumë të veçantë RTSh dhe zotin Peza për këtë iniciative shumë nderuese për ta dhe për futbollin e Shqipërisë sepse futbolli ynë e ka vendin tek RTSh i cili është televizioni më i lidhur me publikun shqiptar. Falënderoj kryeministrin Edi Rama i cili e ka suportuar këtë partneritet. Ky është vetëm një hap sepse mendoj shumë hapa të tjerë duhen bërë përpara”.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.