Fundjavë pushimi për superligën – FSHF përcakton kalendarin për 5 javët e ardhshme, Laçi-Vllaznia, java e 9-të
Kampionati Kombëtar i futbollit, kategoria Abissnet Superiore është pushim këtë fundjavë për shkak të ndeshjeve të kombëtares kuqezi në Ligën e Kombeve. Ndeshjet zyrtare të kësaj kategorie rikthehen të shtunën e ardhshme me datë 19 tetor me ndeshjet e javës së nëntë. Ndërkohë, Komisioni i Ligave dhe Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit është mbledhur dhe ka përcaktuar kalendarin e ndeshjeve të kampionatit “Abissnet Superiore”, nga java e 9-të e deri në javën e 13-të. Sfidat e javës së 9-të të kampionatit “Abissnet Superiore” do të luhen të ndara në dy ditë, konkretisht në datat 19 dhe 20 tetor, teksa spikat takimi Tirana – Dinamo City, ndërkohë që Vllaznia në këtë javë është mysafire në Laç. Java e 10-të e kampionatit elitë do të luhet në fundjavën e 25-26 tetorit, ku ndeshja më interesante e kësaj jave pritet të jetë Vllaznia – Partizani, e cila do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, që deri në atë ditë ka përfunduar proçesin e rimbjelljes së barit. Dhe, menjëherë pas kësaj javë vjen një tjetër përballje e vështirë për Vllazninë, e cila për javën e 11-të, e cila do të luhet në mesjavën e 30-31 tetorit, do të luajë në kryeqytet për klasiken e futbollit shqiptar, Tirana – Vllaznia. Java e 12-të do të luhet me 3 dhe 4 nëntor, e përballë Vllazninë me Skënderbeun, ndërsa ajo e 13-të, cila do të luhet në dy ditë, e zhvendos Vllazninë në transfertën e Rrogozhinës, përballë Egnatias vendase.