Fuqizimi i të rinjve, Hasani në Këshillin e Sigurimit: Janë ndër më të prekurit nga krizat që sjellin konfliktet
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka kryesuar takimin e formulës Arrira të Këshillit të Sigurimit, mbi fuqizimin e të rinjve mbi trajtimin e paqes dhe stabilitetit.
Ministri Hasani u shpreh se të rinjtë janë ndër më të prekurit nga krizat që sjellin konflikte. Sipas Hasanit, ajo që nevojitet është fuqizimi i të rinjve për të promovuar zgjidhje jo të dhunshme.
Ministri i Jashtëm theksoi se e vetmja mënyrë për të bërë përpara, sipas tij, është që të rinjve t’i sigurohet hapësira për veprim.
“Të rinjtë janë ndër më të prekurit nga krizat që sjellin konfliktet. Kur shpërthejnë konfliktet, rinia humbet perspektivën dhe shpresat. Nevojitet fuqizimi i të rinjve për pajtim, t’u sigurohet mbështetja e nevojshme për të thyer barrierat. Fuqizimi i të rinjve për paqe, të kenë aftësinë për të promovuar zgjidhje jo të dhunshme. Të rinjtë janë aktorë të rëndësishëm për pajtimin dhe ndërtimin e paqes në rajon. E vetmja mënyrë për të bërë përpara, t’u sigurojmë të rinjve hapësirën për veprim të përbashkët”, u shpreh Ministri.
Sipas Hasanit, të rinjtë përfaqësojnë 100% të të ardhmes së shoqërisë dhe për këtë, shtoi ai domosdoshmëri është fuqizimi i tyre si “investimi më i mirë për një të nesërme më të ndritshme”.
“Askush nuk është më i interesuar në projektimin e së ardhmes sesa rinia. Idetë e sotme janë planet e së nesërmes dhe rinia ka mundësinë për t’i bërë ato të suksesshme. Të rinjtë mund të kontribuojnë në promovimin e diversitetit dhe vlerave demokratike në rajon. Fuqizimi i rinisë, investimi më i mirë për një të nesërme më të ndritshme”, theksoi Hasani.