Futboll kategoria e dytë – Fitojnë Tërbuni dhe Basania, humbin Veleçiku dhe Murlani
Java e katërt e Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë e dytë, grupi A ka regjistruar dy fitore shumë të rëndësishme për skuadrat e qarkut Shkodër.
Bëhet fjalë për Tërbunin dhe Basanian, të cilat respektivisht mundën Veleçikun dhe Gramshin.
Takimi i luajtur në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, është mbyllur me vetëm një gol. Dhe, ai ka ardhur nga pika e bardhë e penalltisë me autor kapitenin Kaçubela në minutën e 75-të të ndeshjes, i cili tregohet i saktë në goditjen e tij. Goli ka pasur vlerën e tre pikëve për Tërbunin, por për hirë të së vertetes, ndeshja në fjalë, sidomos pjesa e dytë është shoqëruar me tension në fushën e lojës.
Dhe kjo ka ardhur për shkak të penalltisë të akorduar në favor të pukjanëve, e cila është kontestuar ashpër nga futbollistët dhe stafi teknik i Veleçikut duke pretenduar se vendimi nuki ishte aspak i drejtë.
Protestat e koplikasve i kanë kushtuar ndëshkimin me kartonin e kuq të kapitenit të tyre, Çokaj, ndërkohë që pak më herët me të kuqe është ndëshkuar edhe Pjetracaj për ngjyrat koplikase.
Ndërkohë, në fushën sportive të Bushatit, Basania e drejtuar nga trajneri Haris Lika ka regjistruar fitoren e parë në kampionat teksa ka mundur Gramshin me rezultatin 3-0. Që të tre golat për bushatasit kanë ardhur në pjesën e dytë me autorë Konatec dy herë dhe Arbër Daija të tretin. Skuadra e katërt e qarkut të Shkodrës që luan në këtë grup, Murlani është mundur nga Sopoti me rezultatin 0-2.
Tabelën e klasifikimit e kryeson Luzi me 10 pikë, po aq ka edhe Iliria. Tërbuni është i treti me 8 pikë, Veleçiku në vendin e pestë me 6 pikët, ndërkohë që Murlani i Barbullushit mbyll tabelën me 0 pikë.