Gallant: Nuk duam luftë me Hezbollahun, zgjidhja më e mirë ajo politike!
Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant nuk mendon se një luftë kundër milicisë shiite të mbështetur nga Irani, Hezbollah në Liban është e dëshirueshme, por beson se ushtria e tij është e përgatitur për një luftë.
“Ne po punojmë për një zgjidhje politike. Kjo është gjithmonë alternativa më e mirë,” tha ministri gjatë një vizite në trupat pranë kufirit verior të Izraelit me Libanin.
“Ne nuk po kërkojmë luftë, por jemi të përgatitur për një të tillë. Nëse Hezbollahu zgjedh luftën ne e dimë se çfarë po bëjmë. Nëse ata zgjedhin paqen, ne do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat”, shtoi ai.
Që nga fillimi i luftës në Gaza, përplasjet e zjarrit kanë ndodhur çdo ditë midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në zonën kufitare midis Izraelit dhe Libanit.
Luftimet janë intensifikuar ndjeshëm kohët e fundit. Disa vende, përfshirë Gjermaninë, u kanë bërë thirrje edhe një herë qytetarëve të tyre që të largohen nga Libani.