Ganezi humbi jetën në fushë, Andrea Marko: Bota e futbollit, e shokuar
Ish-trajneri i Dinamos, Andrea Marko është shprehur se bota e futbollit është shokuar nga vdekja tragjike në fushë e sulmuesit të Egnatias, Rafael Duamena.
Duke folur në një lidhje direkte me emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH 1, Marko theksoi se ky është një moment delikat ku edhe klubet janë përpara përgjegjësisë.
“Jemi në një moment delikat, ku pjesa e futbollit është e tronditur, ku pjesa e mjekësisë është në dilemat e veta. Kemi klubet që janë përpara përgjegjësisë morale. Besoj që është një moment që ka shokuar krejt opinionin sportiv dhe atë botëror”, u shpreh ish-trajneri i Dinamos së futbollit, Andrea Marko.
I pyetur se çfarë ka parasysh me përgjegjësi, Marko theksoi se këtu po flitet për humbjen e jetës së një futbollisti i cili ishte i ndërgjegjshëm për atë që e priste në fushën e lojës, nisur nga ataket kardiake që kishte pësuar më parë në vitin 2017 dhe 2021.
“Shiko këtu nuk po flitet për përgjegjësi, po flasim për djaloshin i cili ishte i vetëdijshëm për atë çka bënte, sepse ishte brenda dëshirave dhe ëndrrave të veta. Besoj se koshienca e djalit mund ta zbusë pjesën e përgjegjësisë pasi ai është deklaruar se kishte dëshirë të luante duke e ditur problemin e vet”, nënvizoi Marko.
Rafael Duamena humbi ndjenjat gjatë ndeshjes me Partizanin dhe u dërgua menjëherë në spital, por pavarësisht ndihmës futbollisti nuk arriti që të mbijetonte duke ndërruar jetë në moshën 28-vjeçare.