Gara për drejtimin e “kulturës” në Shkodër/ Kandidatët prezantuan platformat para jurisë dhe publikut në teatrin “Migjeni”
Proçedura e konkurimit të hapur për drejtimin e institucioneve të kulturës në Shkodër erdhi përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë në RTSH Shkodra nga salla e teatrit “Migjeni”. Në këtë praktikë të zhvilluar për herë të parë, kandidatët prezantuan para spektatorëve të pranishëm platformat e menaxhimit të institucione që pretendojnë të drejtojnë por më parë u mbajt një minutë heshtje për efektivin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku që mbeti i vrarë gjatë përleshjes me terroristët serbë.
Juria e përbërë nga Zana Çela, Klaudia Hila, Zyliha Miloti, Altin Basha dhe Besfort Idrizi pati mundësi të dëgjonte platformat e kandidatëve dhe njëkohësisht të bënte pyetje për ta. Të parët që shpalosën programin e tyre ishin kandidatët për drejtues të QKF “Kujtim Alija” Anton Kaftalli dhe Orjeta Kelaj.Më pas ishte radha e kandidates së vetme në garë për Degën Ekonomike të Kulturës Ledia Dushi për të paraqitur platformën e saj.
Për drejtimin e institucionit më të rëndësishëm kulturor të Shkodrës, teatrit “Migjeni” paraqitën para jurisë dhe publikut platformat e tyre 3 kandidatët: Albri Brahusha, Arian Çuliqi dhe Sara Smaja.Anëtarë të jurisë vlerësojnë mesazhin që jep ky format i konkurimit publik që është transparenca.Pas përfundimit juria do të vlerësojë kandidaturat më të përshtatshme për drejtimin e këtyre institucioneve.