Gara për drejtorin e Policisë – Komisioni interviston 11 kandidatët, të premten Hoxha i çon listën Ramës
Prej orës 09:00 të mëngjesit të së mërkurës (25 shtator) 11 kandidatët për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, u intervistuan sipas rendit alfabetik, ku secili prej emrave pati në dispozicion 30-45 minuta për të dhënë argumentet mbi pyetjet që ngrihen në disa shtylla nga Komisioni i Posaçëm.
Sipas ligjit, pasi Komisioni do t’i dëgjojë e pyesë për platformën që ata kanë mbi mënyrën e drejtimit të organizatës së Policisë, duhet të dorëzojnë vlerësimin me sistemin e pikëve për çdo kandidat dhe t’i rendisë në listën me emrat e 11 konkurentëve.
Punën e Komisionit Vlerësues Ad-Hoc e ka ndjekur nga afër faktori ndërkombëtar, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë dhe ajo e Bashkimit Evropian.
Ligji parashikon, që ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, listën e pikëzuar që do të marrë nga Komisioni, do t’ia paraqesë kryeministrit Edi Rama.
Për herë të parë, gara zhvillohet mbështetur në ligjin e ri për Policinë e Shtetit, ku bazuar te ky i fundit u skualifikuan 4 kandidatë që paraqitën interes për këtë garë.
11 kandidatët janë: Adriatik Tafçiu, Altin Mena, Ardian Çipa, Lutfi Minxhozi, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Ilir Proda, Skënder Hita, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi dhe Rebani Jaupi.
Kandidatët e skualifikuar ishin: Sami Rasha, Shemsi Prençi, Ibrahim Disha dhe Hajrulla Xhivini.