Garancia sovrane në bujqësi, Kote: Bankat e nivelit të dytë do të ndihmohen nga AZHBR

Instrumenti i ri bankar me një shumë prej 250 milionë eurosh për të lehtësuar aksesin në kredi për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural nga Banka e Shqipërisë do të jetë gati pas mesit të këtij viti. Kjo u bë me dije nga zv.ministri i Bujqësisë, Dhimiter Kote në një intervistë për RTSH.
“Kjo mbështetje është për të gjithë biznesin, të cilët fermerët e kanë një portë të hapur për ta vazhduar dhe zhvilluar bujqësinë. Bujqësia shqiptare ka nevojë dhe të kreditohet. Nga kontaktet nga Banka, të gjitha e kanë hapur dhe miratuar këtë”, tha Kote.
Zv.ministri Kote u ndal edhe te garancia sovrane, e cila do të jetë e aplikueshme në 6-mujorin e dytë të këtij viti dhe do të sjellë një normë interesi deri në 2 përqind për fermerët.
“Ndërhyrja që po bën qeveria shqiptare, për fondin e garancisë në 75 përqind të kolateralit, ku në të gjitha skemat që kemi, fermeri arrin të marrë deri në 2 përqind interes këtë kredi”, deklaroi ai.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural do të jetë një asistente e të gjithë fermerëve dhe bankave të nivelit të dytë për të dyja inisiativat.
“AZHBR do të orientohet dhe do të jetë bashkë me Ministrinë e Bujqësisë, ku do t’i orientojë dhe do të japë asistencën teknike për strategjinë që ka Ministria e Bujqësisë. Cilët janë sektorët prioritarë dhe cilët kanë të ardhme nesër, sepse bujqësia zhvillohet sipas kërkesave të tregut“, theksoi Kote.
Të dyja instrumentet, për Koten janë mundësi të mira për të arritur në rritjen e eksporteve jo vetëm nga sasia, por edhe nga cilësia.