Garantimi i sigurisë dhe goditja e paligjshmërive/ Policia e Shtetit plan masash për fundvit
Me rastin e festave të fundvitit, Policia e Shtetit do të jetë në gatishmëri të plotë me qëllim garantimin e rendit, sigurisë, si dhe parandalimin e goditjen e paligjshmërive.
Gjatë natës së ndërrimit të vitit dhe ditëve të para të 2024-ës, do të ketë rritje të prezencës policore në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit.
Gjithashtu, strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të sigurisë dhe rendit, në restorante, lokale dhe qendra tregtare, që kanë frekuentim të lartë qytetarësh.
Për të parandaluar ngjarjet kriminale, janë shtuar shërbimet dhe patrullimet në afërsi të bankave, zyrave të këmbimit valutor, tregjeve dhe objekteve të tjera, ku administrohen vlera monetare dhe materiale.
Forcat e Sigurisë Kombëtare janë shpërndarë në porte, aeroporte, pika kalimi, në qendra të mëdha urbane dhe në akse rrugore, duke bashkëpunuar me strukturat vendore dhe janë në gadishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo moment, në rast së është e nevojshme.
Masa shtesë janë ndërmarrë edhe për të parandaluar futjen në Shqipëri, të lëndëve piroteknike dhe përdorimin e kundërligjshëm të tyre.
Masat e marra kanë për qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet në të gjithë territorin, duke shtuar prezencën e shërbimeve të Policisë, parandalimin e ngjarjeve kriminale, nëpërmjet kontrollit të plotë të territorit nga strukturat e Policisë, kontrollin ndaj personave me precedentë kriminalë, automjeteve të tyre dhe të ambienteve që ata frekuentojnë, bazuar në inteligjencën informative, sigurimin në kohë të informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale.
Për të eliminuar radhët e gjata në hyrje, janë marrë masa, janë shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Po bashkëpunohet me homologët në pikat tokësore, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe për sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme, në të dyja anët e kufirit.
Njëkohësisht është rritur kontrolli si në pikat e kontrollit kufitar, ashtu edhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.