Garda s’lejon hyrjen e deputetëve të përjashtuar në Kuvend. Noka: Jemi në betejë, kanë bunkerizuar institucionin
Deputetët e përjashtuar të Partisë Demokratike janë shfaqur para dyerve të Kuvendit për të tentuar të hyjnë në sallën e Parlamentit, por nuk lejohen nga garda. Që në orët e para të mëngjesit garda është vendosur në rresht duke bllokuar derën kryesore të Kuvendit, ndërsa dyert e tjera janë të mbyllura me dryn duke mos lejuar asnjë mundësi që deputetët demokratë të tentojnë të hyjnë në sallën nga e cila janë përjashtuar nga Sekretariati i Etikës një ditë më parë.
Vendimi për përjashtimin e tyre, nuk ka penguar deputetët e PD që vijën disa orë para nsijes së parlamentit dhe të qëndrojnë në dyert e këtij institucioni.
I pyetur nga gazetarja e RTSH Anisa Kadesha se kush është plani që opozita do të ndjek sot, deputeti Flamur Noka tha se do tentojnë të hyjnë në Kuvend, ndërsa tregoi dyert e mbyllura me dryn duke akuzuar se “narko-regjimi e ka bunkerizuar institucionin duke mos lejuar futjen e përfaqësuesve të popullit”
Noka tha se PD është në betejë të vazhdueshme deri ën arritjen e synimeve të saj, që është krijimi i një qeverie teknike.
“Ky është Kuvendi dhe shikojini si i pret kuvendi i narkoregjimit deputet e tij, përfaqësuesit e popullit. Plani është të hyjnë në Kuvend pasi nuk mund të na ndalojë narko-parlamenti. Ja ku e keni derën të mbyllur me dryn, e ka bunkerizuar a thua po vijmë për të pushtuar Elisën 5 milionëshe. Ne jemi në luftë dhe në luftë synohet qëllimi final, ne jemi në betejë të përditshme”, tha Noka
Nga oborri i Kuvendit edhe deputeti Agron Gjekmarkaj ka paralajmëruar shfrytëzimin e çdo rruge për arritjen e kërkesave të tyre duke përfshirë edhe ngujimin në parlament.
“Ngujim në parlament? Çdo mundësi që na hap rrugë ndërgjegjja për t’i shërbyer këtij vendi, ne do shfrytëzojmë”, tha Gjekmarkaj.
Sekretariati i Etikës ka përjashtuar 60 ditë nga seancat plenare Gazment Bardhin, Flamur Nokën dhe Bledion Nallbatrin, pas kaosit në Kuvend në seancën e 30 shtatorit. Po ashtu është vendosur përjashtimi me 10 ditë për Edi Palokën, ndërsa janë përjashtuar me 40 ditë 20 deputetët e tjerë, konkretisht: Saimir Korreshit, Lefter Geshtenjës, Luan Baçit, Dashnor Sulës, Agron Gjekmarkajt, Dhurata Çupit, Xhelal Mziut, Ina Zhupës, Zheni Gjergjit, Helidon Bushatit, Lindita Metaliajt, Ramadan Likës, Asllan Dogjanit, Qani Xhafës, Flamur Hoxhës, Isuf Çelës, Kastriot Piroliy, Lodovik Hasanit, Kasem Mahmutajt dhe Edmond Spaho.
Lidhur me vendimet e “Etikës” PD u shpreh dje se nuk i njohin, ndërsa Gazmend Bardhi tha se nuk do të lejonin zhvillimin normal të seancave.
“Sa i takon seancës së nesërme grupi ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme (3 shtator)” tha Bardhi.
Skenarët e kaosit nisën nga opozita si reagim për burgosjen e deputetit Ervin Salianji, i cili u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë.