Gati ndërtimi i HEC-it “RP Moglica”
Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi marrëveshjen që i hap rrugën shoqërive “Statkraft AS” dhe “Devoll Hydropower” të ndërtojnë impiantin “RP Moglica shtesë”, njofton ATSH. Pas ndërtimit të tij HEC-i parashikohet të ofrojë një përdorim më të mirë të potencialit hidrologjik të kaskadës së lumit Devoll, duke shtuar kapacitetin ruajtës së energjisë në vend.
“Ndërtimi i impiantit me sistemin e rezervës së pompuar, nëse studimet dhe kushtet e tregut do ta mbështesin, do të ofrojë një përdorim më të mirë të potencialit hidrologjik të kaskadës së lumit Devoll dhe duke shtuar kapacitetin ruajtës së energjisë në vend”, tha zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj.
Me përfundimin e punimeve dhe vënien në punë të HEC-it Moglicë, shoqëria “Devoll Hydropower”, ka kryer disa studime paraprake dhe ka vlerësuar si alternativë tjetër për optimizimin e mëtejshëm të përdorimit të potencialit hidrologjik të lumit Devoll dhe HEC-eve të ndërtuara tashmë në të, nëpërmjet ndërtimit të një ujëmbledhësi me stacion pompimi, në pjesën e sipërme të lumit Devoll (“RP Moglica Shtese”).