Gaza ndahet në dy pjesë, OKB bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm
Ushtria izraelite thotë se e ka ndarë më dysh Rripin e Gazës, pasi trupat tokësore kanë arritur në vijën bregdetare në jug të këtij qyteti. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thonë se qyteti më i madhi në këtë territor tashmë është plotësisht i rrethuar ndërsa forcat tokësore morën kontrollin e një vendstrehimi të rëndësishëm të Hamasit që përfshin pikë vëzhgimi, objekte trajnimi dhe tunele të terroristëve.
Izraeli do të vazhdojë ta lejojë korridorin me një drejtim në mënyrë që banorët e Gazës veriore të zhvendosen drejt jugut. Ndërkohë, ka raportime se shërbimet telefonike dhe të internetit janë ndërprerë sërish në Gazë. Kryqi i Kuq Palestinez tha se kjo është hera e tretë që ndërpriten këto shërbime nga fillimi i luftës, duke humbur edhe kontaktet me stafin humanitar.
Ndërkohë të gjitha agjencitë e OKB-së në një deklaratë të përbashkët bëjnë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gazë. Krerët e oagjencive të OKB duke përfshirë UNICEF-in, OBSH-në, Programin Botëror të Ushqimit dhe Sejv dhë Çilldrën në deklaratë vënë në pah humbjet e tmerrshme të jetës nga të dyja palët dhe kërkuan lirimin pa kushte të pengjeve të marra nga Hamasi më 7 tetor.
“88 persona që punonin për Agjencinë që ndihmon refugjatët palestinezë në gaza janë vrarë që nga 7 tetori, numri më i lartë i humbjeve të jetës i regjistruar ndonjëherë në një konflikt të vetëm” thuhet në deklartë.
Izraeli filloi bombardimin e Gazës pasi Hamasi vrau më shumë se 1400 persona në Izrael dhe rrëmbeu rreth 240 të tjerë. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se rreth 10 mijë palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite.
Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden ka shtuar përpjekjet diplomatike në Lindjen e Mesme për sigurimin e një ndalese humanitare në luftën mes Izraelit dhe Hamasit. Drejtori i CIA-s, Uilliam Bërns që ka qenë ish-ambasador amerikan në Jordani ndodhet në Izrael për të biseduar me zyrtarët vendas.