Gaza zgjohet nga terrori, shefi ushtarak i Izraelit urdhëron vijimin e luftës
Gaza është zgjuar edhe sot nga terrori dhe sulmet izraelite mbi të. Sipas një prej dëshmitarëve nata e mbrëmshme dhe deri në mëngjes kanë përjetuar “terror dhe frikë” në zemrën e Khan Younis mes zhurmave të vazhdueshme të granatimeve të artilerisë dhe betejave të ashpra.
Nga ana tjetër, Hamasi thotë se luftimet intensive u shtrinë përgjatë rrugës për në Rafah në jug të Gazës, ku qindra mijëra palestinezë janë larguar.
Duke folur me ushtarët izraelitë, shefi i shtabit ushtarak, gjenerali Herzi Halevi, tha se dy muaj pas luftës, kishte shenja që Hamasi po shpërbëhej, duke shtuar: “Duhet të bëjmë presion më të fortë”.
Mes shqetësimeve për një konflikt më të gjerë rajonal, rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen kërcënuan të pengojnë çdo anije që shkon në portet izraelite të kalojë nëpër Detin e Kuq dhe Detin Arabik derisa ushqimi dhe ilaçet të mund të hyjnë lirisht në Gaza, transmeton BBC.
Zyrtarët e OKB-së janë ankuar se vetëm ndihma e kufizuar po arrin tani në një cep të vogël të territorit, duke rezultuar në mungesë të madhe të ushqimit dhe ujit të pijshëm.