Gazetarët në Gazë i bien kambanës së alarmit për rrezikun ndaj tyre
Ekspertët thonë se lufta Izrael-Hamas është konflikti më i rrezikshëm për mediat në kohërat e fundit. Siç njoftojnë korrespondetët e Zërit të Amerikës në rajon, gazetarët në Gazë thonë se numri i lartë i vdekjeve e bën jetik çdo njoftim të tyre, por ndërsa më shumë vdesin në radhët e tyre dhe lufta zgjerohet, aftësia për të dhënë lajmet po tkurret me shpejtësi.
Gazetarët që punojnë këtu thonë se çdo artikull mund të jetë i fundit, ashtu siç mund të jetë çdo dalje për të blerë ushqim ose karburant, një vizitë në spital për të kërkuar të zhdukurit, të plagosurit ose në kërkim të trupave të viktimave.
Numri i gazetarëve të vrarë në më shumë se katër muaj luftë vlerësohet se është më i lartë se në çdo luftë tjetër në kohërat e fundit.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve njofton për 85 vdekje ndërsa Kombet e Bashkuara thonë se 122 gazetarë janë vrarë. Gazetarët brenda Gazës thonë se numri është rritur në 130 që nga hera e fundit kur u publikua një shifër për këtë.
Qeveria izraelite e ka ndaluar hyrjen e shtypit ndërkombëtar në Gazë. Në dhjetor Shoqata e Shtypit të Huaj në Jeruzalem i kërkoi Gjykatës së Lartë izraelite për qasje në territor përtej udhëtimeve të kontrolluara nga ushtria e vendit.
Gjykata e hodhi poshtë kërkesën, duke thënë se do të shkaktonte një barrë të panevojshme për Forcat e Mbrojtjes izraelite.
Brenda Gazës, gazetarët thonë se aftësia e tyre për të dhënë lajmet po zvogëlohet me shpejtësi.
Qeveria izraelite ka thënë vazhdimisht se nuk i vë në shënjestër gazetarët apo civilët e tjerë, një pretendim që grupet ndërkombëtare të të drejtave dhe gazetarët palestinezë e vënë në dyshim.
( Sipas Zërit të Amerikës )