Gazetari Zamir Dule shtrohet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, familjarët apelojnë për ndihmë
Gazetari i mirënjohur i kronikës së zezë, Zamir Dule ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Unioni i Gazetarëve bën me dije se Dule ka shfaqur probleme me zemrën dhe është shtruar në një spital privat në Tiranë, por ndërhyrja të cilës duhet t’i nënshtrohet ka një kosto të lartë që nuk mund të përballohet nga familjarët.
Për pasojë ata i drejtojnë një thirrje për ndihmë qytetarëve për të bërë të mundur mbledhjen e shumës që nevojitet.
Zamir Dule, tashmë i tërhequr nga gazetaria, ka kontribuar jo pak gjatë viteve të tij të punës. Ai nisi punën si gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe më pas filloi korrespondent i gazetës “Koha Jonë” për Qarkun e Korçës. Në vitin 1994, ai erdhi në Tiranë ku mbuloi po sektorin e kronikës për policinë, prokurorinë dhe gjykatën. Ai arriti kulmin në karrierën e tij në vitin 1996, kur shkroi edhe librin “Përbindëshi i Tropojës”.
Pas largimit nga gazetaria ai u zhvendos në Korçë, ku jeton me vëllain në vendlindjen e tij, fshatin Miras të Devollit.