“Gërdeci”/ Mediu: E rëndësishme që të thirren dëshmitarët, edhe ata që ndodhen jashtë vendit
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka përfunduar dëshminë e tij në GJKKO në lidhje me çështjen e Gërdecit, ndërsa në një deklaratë për mediat theksoi se është e domosdoshme që të thirren dëshmitarët. Mediu u shpreh se duhet të dëshmojnë edhe persona që nuk janë brenda vendit dhe po ashtu të rithirren edhe personalitete ushtarake.
“Është e domosdoshme të thirren dëshmitarët. Edhe ata që nuk ndodhen brenda vendit ka mënyra për të dëshmuar. Bëj thirrje në emër të të vërtetës që gjithsecili të flasë dhe të tregojë të vërtetën siç është. Është shumë e rëndësishme të rithirren personalitetet ushtarake. Nuk janë personalitet që kanë qenë jashtë marrëdhënies me Ministrinë e Mbrojtjes. Po ashtu edhe personalitete të SHBA dhe ministrat që unë kam kërkuar të thirren. Ne do ta kishim si një vlerësim për të parë deri në fund për shmangien e çdo keqkuptimi të ndarjes së rolit të civilëve me rolin e ushtarakëve në një Ministri Mbrojtje, përndryshe do ecim me konceptin e vjetër që ushtria është e partisë dhe partia bën si të dojë me partinë”, u shpreh Mediu.
Lidhur me dëshminë e Shkëlzen Berishës, Mediu tha se djali i ish-kryeministrit nuk ka lidhje me të në këtë proces.
“U duk qartë dhe nga dëshmia e Shkëlzen Berishës që ai nuk ka asnjë raport me Fatmir Mediun në lidhje me këtë proces. Këto janë insinuata të ngritura”, theksoi Mediu.
Për mediat, Shkëlzen Berisha tha se kishte zhvilluar biseda me Mediun, por për çështje personale dhe jo në lidhje me Gërdecin. Thirrjen e tij në seancë, Berisha e konsideroi si “teatër politik”.