“Gërdeci”- Shkëlzen Berisha nuk paraqitet në GJKKO. Mediu: Të dalë e vërteta, nuk kam shkelur ligjin
Ka përfunduar seanca e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për çështjen “Gërdeci”. Në seancën e sotme ka qenë i pranishëm ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ndërsa nuk është paraqitur Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Për këtë të fundit, SPAK ka bërë me dije se Shkëlzen Berisha ka ndryshuar adresë dhe për këtë arsye nuk është bërë i mundur njoftimi i tij.
Seanca e radhës u vendos data 27 dhjetor, ndërsa ish-ministri Bumçi në një deklaratë për media është shprehur se dy muaj para se të ndodhte tragjedia e Gërdecit është takuar me Shkëlzen Berishën duke hedhur poshtë aludimet se takimi mes tyre ka ndodhur për çështjet e demontimit, por vetëm për arsye elektorale.
“2 muaj para se të ndodhte Gërdeci e kam takuar Shkëlzenin, por për arsye elektorale. Dy herë. Jo për çështjet e demontimit. Faksi i gjetur te zyra ime është i falsifikuar, e kam bërë kallëzim këtë”, tha Bumçi.
Ndërsa ish-ministri Mediu teksa u deklarua i pafajshëm, u shpreh se ka vepruar në respekt të ligjit.
Mediu theksoi se ka vënë në dispozicion një dokument të Policisë Ushtarake në të cilin thuhet se para se të fillonte demontimi, kompania kishte nisur punimet për të prishur objektet në mënyrë të paligjshme. Mediu u shpreh se qëndrimi i tij ka qenë i prerë dhe urdhërues se duhej të procedoheshin penalisht të gjithë ata që kishin shkelur ligjin.
“Unë dua të dalë e vërteta për të gjithë procesin. U provua që Fatmir Mediu ka vepruar në respekt të ligjit, të detyrimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, detyrimeve të BE-së, të vendimit të Këshillit të Ministrave në plotësim të plotë të të gjitha akteve ligjore. Ka pasur marrëdhënie korrekt me të gjitha strukturat ushtarake. Nuk ka pasur reklamim te Ministri i Mbrojtjes për problemet që mund të kishte në Gërdec. U vura në dispozicion sot një dokument të Policisë Ushtarake se para se të fillonte ky demontim, kompania kishte nisur punimet për të prishur objektet në mënyrë të paligjshme. Qëndrimi im ka qenë i prerë dhe urdhërues se duhej të procedoheshin penalisht të gjithë ata që kishin shkelur ligjin.
Unë kam thënë që do paraqitem në çdo seancë. Ajo që është e rëndësishme: ky demontim ishte domosdoshmëri, detyrim ligjore, kërkesën e partnerëve tanë, kërkesat e kompanisë amerikane ka qenë kërkesë e vlerësuar sipas procedurave për të shkuar te momenti si u përzgjodh vendi i demontimit.
Nuk ka asnjë praktikë në Ministri i Mbrojtjes që ministri zgjedh vendin e demontimit. Strukturat që kanë detyrimin ligjor vlerësojnë nëse është apo jo brenda rregullave.
Unë nuk kam bërë as më shumë e as më pak se detyrën time në përputhje me këto akte.
Meqë është ngritur akuza se kam krijuar dëm ekonomik, që transportin duhej ta paguanin FA dhe ministri nuk e ka vendosur në urdhër, nuk ka asnjë ministër që vendos se kush e paguan transportin.
Tjetra, në Ministrinë e Mbrojtjes, transporti i municioneve është bërë nga FA dhe nuk ka pasur asnjë pagesë nga ndonjë subjekt veçse nga FA-të”, tha Mediu.