Gërdeci/ Shtyhet seanca në GJKKO, mungoi një nga ekspertët. Jo i pranishëm edhe Mediu
Është shtyrë seanca në GJKKO për Gërdecin, ndërsa shkak është bërë mungesa e njërit prej 5 ekspertëve. Po ashtu në seancë nuk ishte i pranishëm as ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi që seanca e radhës do të mbahet më 31 korrik.
Ekspertët do të duhet të përgjigjen me shkrim për 113 pyetjet e depozituara nga mbrojtja e Mediut.
Seanca e kaluar, që u zhvillua më 10 korrik, u ndërpre pikërisht për shkak të debateve lidhur me natyrën e pyetjeve të depozituara nga mbrojtja e Mediut, që çoi në debate mes avokatit Ardian Visha dhe gjyqtares Irena Gjoka.
Procesi ndaj Mediu mori shkas nga një kallëzim i familjes Durda, që humbi në atë kohë djalin nga shpërthimi. Ish ministri akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” kryer në bashkëpunim.
Fabrika e demontimit të municioneve në Gërdec shpërtheu në vitin 2008, ku mbetën të vrarë 26 persona, ndërsa mbi 250 të tjerë mbetën të plagosur.