“Gërdeci”, SPAK kërkon Mediun si të pandehur, ish-ministri: Kam pritur mbi 16 vite që të pyetem nga Prokuroria
Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) në lidhje me Gërdecin do të zhvillohet më 21 shkurt, ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar që, nëse do të jetë gati, të pyetet edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu në cilësinë e të pandehurit. Në një deklaratë për mediat, Mediu tha se kishte mbi 16 vite që priste të pyetej nga Prokuroria, por akuzoi se SPAK “nuk denjoi të më pyeste për çështjen”.
“Në këtë proces gjyqësore prej disa kohësh nuk ka asnjë dëshmitar të thirrur nga prokuroria që të ketë thënë se ministri ka qoftë edhe një grimcë faji. Procesi i demontimit është thirrur nga strukturat e ministrisë së Mbrojtjes që nuk lidhen më fushën e veprimtarisë së Ministrisë.
Sa i përket vazhdimit të procesit, i bëj thirrje edhe njëherë që gjithsecili të vij dhe të mbajë qëndrimin sa i përket punës që ka kryer në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të mos mbajnë pozicionin e heshtjes. Sepse me dëshmitë duhet të hidhen dritë. Do konsultohem me avokatët. Unë kam pritur mbi 16 vite që të pyetem nga prokuroria, por nuk ka denjuar të më pyesë mbi çështjen”, u shpreh Mediu.
Po ashtu, SPAK kërkon të gjendet dhe të thirret për të dëshmuar edhe Anjola Agolli, ish-sekretare e ministrit të drejtësisë, në atë kohë Aldo Bumçi, e cila nuk është gjetur në adresë të saj.
Ndërkohë u përsërit edhe thirrja për të bashkëpandehurit e tjerë mes tyre Luan Hoxha, Dritan Minxolli dhe Mihal Delijorgji të cilët nuk janë gjetur në adresat e deritanishme të çuara në gjykata.
Po ashtu, Gjykata informoi se ministria e drejtësisë ka dërguar letërporosinë në SHBA për të marrë në pyetje Patrick Henry dhe përfaqësuesit e kompanisë SAC, që merrej me demontimin.