Gëzuar Fitër Bajramin, kreu i KMSH: Bota të gjejë paqe dhe toleranca të mbizotërojë
Të gjithë besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajrami. Kryetari i KMSH, Bujar Spahia ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për më shumë mbarësi, begati dhe dashuri në jetët e tyre. Pas faljes së namazit në sheshin Skënderbej, Spahia bëri thirrje që bota të gjejë paqe dhe toleranca të mbizotërojë mes njerëzimit.
“Gëzuar festën e Fitër Bajramit, kjo festë qoftë një. Paqe mirësi e begati në familjet tona. Lutjet shkojnë për një Shqipëri sa më të mirë dhe të begatë. I lutem Zotit që vendimet tonë t’i sjellë begati dhe anë e kënd botës paqe dhe drejtësi. Sot kemi të drejtën për të gëzuar dhe festuar dhe për ta ndarë këtë mirësi e begati që Zoti na ka dhënë pas këtij përkushtimi, ta ndajmë me familjen e shoqërinë. Gëzuar shqiptarëve e popujt anë e kënd botës. Bajramet janë festa që duhen falur nëpër sheshe. Shpresojmë që edhe ajo xhami do mbarojë dhe do falemi edhe aty. Sheshet janë të dendura, nuk ka xhami në asnjë vend të botës që t’i zërë njerëzit”, tha Spahia.
Besimtarët myslimanë pas 30 ditësh agjërim në muajin e shenjtë të Ramazanit festojnë sot Fitër Bajramin. Sipas besimit mysliman, në këtë ditë Allahu shpërblen besimtarët për gjithë sakrificën e tyre gjatë muajit të Ramazanit.
Në këtë ditë të shënuar, Radio Televizioni Shqiptar uron të gjithë besimtarët myslimanë Gëzuar Fiter Bajramin.