Gjakmarrja, Gjin Marku: 60 % më pak raste. Sociologu: Aktivizohet kur dobësohet shteti
Gjakmarrja është një fenomen që fatkeqësisht vijon ende të ekzistojë në Shqipëri. Edhe pse një dukuri që vjen nga tradita e lashtë që nga kanunet, sociologu Zyhdi Dervishi thotë se ka një keqinformim lidhur me to, pasi kjo nuk është një dukuri vetëm shqiptare por ka qenë e gjithë popujve në kohët kur nuk ka pasur një organizim shtetëror. Sociologu u shpreh se dukuria e gjakmarrjes aktivizohet kur dobësohen strukturat shtetërore, ndërsa kryetari i Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve Gjin Marku tha se rastet e gjakmarrjes kanë rënë me mbi 60 % dhe kjo edhe falë bashkëpunimit të mirë me Policinë e Shtetit.
Në një intervistë për “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, pajtuesi Gjin Marku tha se arsyet që çojnë në gjakmarrje nuk janë vetëm vrasja, por edhe mbrojtja e nderit, konflikti për tokë etj., ku sipas tij edhe ndërhyrja e shtetit në rregullimin e këtyre çështje me ligj ka bërë që dukuria e gjakmarrjes të mos marri “impulse aktivizimi”.
“Fenomeni është pjesë e traditës shqiptare me aktin e marrjes së gjakut për shkak të një vrasje. Jo vetëm sjell si pasojë vazhdimin e konfliktit që çojnë në vrasje dhe palët pa e zgjidhur me një pajtim dhe falje gjaku mund të shkojë sërish në gjakderdhje. Ne kemi ende mentalitetin e mbrojtjes së nderit pa shkuar deri tek vrasja, nderit të motrës në rast dhunimi. Në fillimet e tranzicionit kemi patur rreth 45 raste që jemi detyruar të lidhim kontakte me familjet e djalit që kanë marrë vajzën me fejesë dhe e kanë trafikuar jashtë. Vajza ka rënë viktimë e dhunës dhe e presonit e atyre nga njeri që konsiderohet si mik i familjes kthehet në tutor. Problemet e tjera mbeten me pronën ku ka familje në hasmëri që mendojnë se i kanë marrë pronën padrejtësisht përmes korrupsionit apo formave të ndryshme dhe ende nuk kanë marrë zgjidhje. Para disa vitesh kemi pasur një marrëdhënie e mirë për politikën ose shtetin duke kërkuar që në të gjitha bashkitë të ketë një oficer të zgjidhjes së konfliktit ose të trajtimit të një çështje që mund të sjellë konflikte mes familje dhe hasmëri. Ligji 20/20 ka dhënë një shpresë që familjet të mund të gjejnë një farë zgjidhje duke trashëguar tokën që u kanë lënë të parët e tyre dhe të mos kenë më konflikte”, tha Marku.
Nga ana tjetër sociologu Dervishi tha se gjakmarrja është nxitur edhe nga pushtuesit që të përçante shqiptarët. Ai sqaron se kanunet nuk nxisin gjakmarrjen por faljen e gjakut dhe ka deformim të neneve dhe u agravua në mënyrë artificiale nga mosfunksionimi i strukturave shtetërore.
“Gjakmarrja nuk është dukuri tipike shqiptare, të gjithë popujt pa organizmin shtetëror e kanë pasur këtë dukuri. Madje duhet të theksuar se dukuria e gjakmarrjes aktivizohet kur dobësohen strukturat shtetërore. Shumë studiues përpiqen ta pasqyrojnë gjakmarrjen si një dukuri shqiptare duke u përpjekur të nxijnë imazhin e popullit shqiptar në Evropë. Populli shqiptar është më paqësori në Evropë. Në periudha të caktuara gjakmarrja është nxitur edhe nga pushtuesit për t’i mbajtur të përçarë shqiptarët. Unë mendoj që kanunet shqiptare nuk nxisin gjakmarrjen por kërkojnë faljen e gjakut. P.sh. Kanuni i Lekë Dukagjinit vetëm 4 nene justifikojnë marrjen e gjakut, ndërsa 91 nene kërkojnë pajtimin e familjes dhe faljen e gjakut. Pas viteve 90 u aktivizua dukuria e gjakmarrës atëherë kur është dobësuar struktura e shtetit nga vitet ‘96-98. Sa më shumë forcohet autoriteti i shtetit aq më shumë ulen raste për gjakmarrje. Është abuzim kur thuhet se shqiptarët e kanë pasur traditë gjakmarrjen, por shqiptarët nuk e kanë pasur kurrë traditë trafikimin e femrave. Femrat kanë qenë të paprekshme dhe ngujoheshin burrat dhe jo gratë. Ka një degjenerim të normave kanunore. Kjo dukuri u agravua në mënyrë artificiale nga mosfunksionimi i strukturave shtetërore”, tha sociologu.
Sociologu tha se krimi më i madh me gjakmarrjen lidhet me ngujimin e fëmijëve dhe sipas tij këtu duhet të ndërhyjë shteti.
“Edhe ngujimi i fëmijëve është në kundërshtim me kanunin, është një dhunim. Ngujimi është një dënim dhe një mallkim shumë i rëndë, liria është gjëja më e shtrenjtë e njeriut. Për fëmijët është një deformim psikologjik i tyre i imponuar dhe çështja e fëmijëve duhet trajtuar me përparësi dhe këta fëmijë t’i largojë nga familjet e tyre dhe t’i çojnë në konvikte ose jashtë vendit, pro fëmijë të ngujuar nuk duhet të ketë. Shteti të krijojë mundësitë praktike që të mos ketë fëmijë të ngujuar dhe të ruhen nga struktura të posaçme”, tha sociologu.