Gjasula para Moldavisë: Ndeshje e rëndësishme, si një finale
Gati për dy sfidat e fundit, fillimisht me Moldavinë në transfertë e më pas me Ishujt Faroe në “Air Albania”. Grumbullimi i kuqezinjve ka nisur dhe atmosfera është mjaft pozitive. Mesfushori Klaus Gjasula, në një intervistë të dhënë për fshf.org ka theksuar se të gjithë janë gati për aktin final.
“Ne e kemi parë të gjithë që Moldavia është një kundërshtar shumë i fortë, nuk kanë humbur asnjë ndeshje, e kemi mundur vetëm ne në Tiranë. E dimë që ndeshja është shumë e rëndësishme si një finale. Të dy ndeshjet e radhës janë si finale për ne. E dimë që është ndeshje shumë e vështirë, por ne kemi vetëbesim”.
“Kemi zhvilluar një fushatë kualifikuese shumë të mirë dhe jemi gati për këtë ndeshje. Duhet të bëjmë detyrat tona, duhet të jemi gati. Duhet të kemi vetëbesim dhe të vazhdojmë të punojmë si çdo herë. Jemi shumë të motivuar, me thënë të drejtën muajt e kaluar, ndeshjet në Tiranë dhe jashtë mbështetja ka qenë e shkëlqyer”.
“Unë vetë nuk kam ndjerë ndonjëherë në karrierën time një mbështetje të tillë dhe ka qenë shumë gjë e mirë, prandaj dhe paraqitjet e skuadrës kanë qenë shumë të mira. Mbështetja është shumë e rëndësishme për ekipin tonë – përfundon Klaus Gjasula.