Gjendet i pajetë në banesë 71-vjeçari / Policia dyshon se ky shtetas e ka humbur jetën për shkak të arrestit kardiak
Një 71-vjeçar është gjetur pa shenja jete paraditen e së martes në qytetin e Shkodrës. Ai është gjetur në banesën e tij ku jetonte në lagjen “Perash ” rreth orës 07:20. Policia thotë se 71-vjeçari me iniciale B.B është gjetur i pajetë dhe pa shenja dhune brenda në banesë. Nga të dhënat e para dyshohet se ky shtetas e ka humbur jetën për shkak të arrestit kardiak. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit. Ndërkohë në një tjetër njoftim policia tregon se Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 39 vjeçar, banues në Itali, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë një shumë parash një shtetasi nga qyteti i Shkodrës. Sakaq Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 19 vjeçar banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, në mënyrë të parregullt. Po ashtu Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shetas i moshës 60 vjeç banues në Shkodër, pasi ka goditur me grushte një bashkëqytetar të tij.