Gjenerali Bazo: Bota ka zona të nxehta që nuk janë në favorin e paqes. Ja rreziqet kryesore për këtë vit
Ndikimi i luftës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, lufta Izrael-Hamas, apo provokimet e shpeshta që bënë Serbi në rajonin tonë, sikurse ishte dhe situata më e fundit në Banjskë të Kosovës, apo dhe shumë zona të nxehta lufte, do të jehojë në mbarë botën. Dukshëm kanë lënë pasoja për Lindjen e Mesme, Evropën, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë që sfidat specifike ndryshojnë, asnjë nuk ka interes ta zgjasë apo zgjerojë konfliktin. Për të gjitha këto tema dhe përshkruar situata specifike të sipërpërmendura, Gjeneral Jeronim Bazo, -ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ishte i ftuar sot në “Ekspres” në RTSH.
Sipas Gjeneralit Bazo, gati katër muaj pasi militantët e Hamasit kryen sulmin e tyre brutal, hakmarrja ushtarake e Izraelit vazhdon me një ofensivë tokësore në rritje në Gazën e kontrolluar nga Hamasi. Kjo është një krizë gjeopolitike, ndoshta edhe më e thellë dhe më e gjerë në ndikimin e saj global.
“Kemi hyrë në muajin e katër të konfliktit mes Izraelit dhe Gazës dhe duket sikur do të vazhdojë sepse është shumë e vështirë në atë terren duke e krehur zonën shtëpi më shtëpi. Forcat Izraelite kanë fituar goxha terren, kryesisht në pjesën veriore të Rripit të Gazës ”tha ai.
Sipas tij, “mendohet që 130-140 pengje janë ende të pa liruar dhe ata kryesisht mbahen në zona të banuar nga popullsia palestinezë apo dhe shërbejnë për kamuflim nga drejtuesit e lartë të Hamasit. Gjithmonë bëhet më e vështirë lufta me terrorin apo terroristët sepse nuk është një luftë me kundërshtar të identifikuar. Ky është një grup paramilitare që është i mirë armatosur ,luftojnë jashtë çdo ligji kombëtar dhe ndërkombëtar dhe për fat të keq me mbështetjen djallëzore të disa forcave të rajonit”.
Ndaj tha ai, konflikti i intereson Iranit dhe fuqive të tjera sikurse është Rusia, Kina apo Koreja e Veriut.
“Për fat të keq ka një numër të madh të viktimave në popullsinë civile në Palestinë që jeton në një sipërfaqe tepër të ngjeshur në Rripin e Gazës. Grupi i Hamasit nuk pyesin për rregulla ata fshihen në popullsinë e Gazës. Numri i madh i viktimave në popullsinë civile dhe zgjatja sa më gjatë e këtij konflikti është një nga problemet me të cilën ndeshet sot Izraeli, gjë që dhe mund të humbas mbështetjen” u shpreh Gjenerali.
Gjithashtu ai u shpreh, se “sa më tepër të zgjasin konflikti aq më në dëm të mbështetjes të kauzës së drejtë Izraelite do bëhet çështja.
Në gjykimin tim duke analizuar lëvizjet e shpejta e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Izrael, është për të nxitur reagimin e Benjamin Netanyahu se si do qeveriset Gaza pasi të jetë “shpërbërë” në kapacitetet luftarake grupi paramilitar i Hamasit.
Gjithashtu ish-shefi i Shtabit të FA-së, analizoi dhe konfliktin që po futet në vitin e tretë ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
“Po futemi në vitin e tretë të luftës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. Jemi larg paqes dhe ka dhe një farë lodhje nga ky konflikti. Në analizën time modeste nuk shikoj që avionët F-16 do të bënte mbrekullira në fushë betejën ndërmjet dy vendeve por ajo që do të ishte shumë e rëndësishme do të ishte qëndrimi në mënyrë të unifikuar dhe i palëkundur i gjithë bllokut perëndimor ”tha ai.