Gjenerallejtënant Arben Kingji: Ushtria jonë po modernizohet. Ja armët që do marrim!
Ushtaraku më i lartë me gradë i ushtrisë shqiptare, Gjenerallejtënant Arben Kingji ishte i ftuar sot në emisionin “Ekspres” në RTSH 1 me moderatorin Nolian Lole.
Reformimi i ushtrisë shqiptare sipas kritereve të NATO-s, procesi i rekrutimit,modernizimit, investimet në infrastrukturë, logjistikë, pajisja me armët moderne si dhe situata rajonale dhe ajo botërore ishin disa prej çështjeve që u prekën në këtë intervistë nga Gjenerallejtënant Arben Kingji.
Duke folur për gatishmërinë e ushtrisë shqiptare të diktuara dhe nga situata në rajon por dhe ajo e luftës në Ukrainë, Kingji deklaroi se “ situata e sigurisë paraqet disa sfida për kohën. Forca e Armatosura të Shqipërisë edhe në kuadër të NATO-s, por dhe në bashkëpunimin bilateral, kemi bërë disa donacione për forcat ushtarake të Ukrainës. Qofshin këto trajnime apo donacione të tjera të cilat janë të koordinuara me komandën qendrore të NATO-s. Duke pasur parasysh kapacitetin që kemi, ka qenë një kontribut shumë i madh në këtë drejtim për ti ardhur në ndihmë Ukrainës”.
Në këtë kuadër, tha ai, Forcat tona të Armatosura (FA) kanë pësuar një reformim të gjerë.
“Kemi kaluar të gjitha dokumentat strategjik, sikurse është Strategjia Ushtarake, Plani i Zhvillimit Afatgjatë. Jemi në proces rishikimi të ligjit për Kontrollin Strategjik të FA-së. Kemi miratuar së fundmi në Parlament dhe ligjin për Karrierën ushtarake dhe të gjitha këto janë reforma të thella duke ndryshuar dhe FA në strukturë duke krijuar disa njësi të reja dhe kemi rritur kapacitetet”
Gjenerali në këtë kontekst tregoi për RTSH-në se janë krijuar element të tjetër të mbrojtjes Kundërajrorë që prej shumë vitesh nuk kanë ekzistuar.
“Kemi rritur dhe fuqinë e zjarrit. Jemi në proces të blerjeve të armëve. Proceset e reformimit dhe modernizimit kërkojë kohë dhe me miratimin e dokumenteve strategjike ne po bëjmë investime në këtë drejtim”.
Jo vetëm për blerjen e pajisjeve, u shpreh Gjenerallejtënant Arben Kingji por dhe për bërjen e infrastrukturës së nevojshme që lidhem shto ai “ me infrastrukturën me garnizone ushtarake, infrastrukturën për trajnime. Jemi duke krijuar poligone të reja duke u përshtatur me sfidat e së ardhmes.