“Gjenerata e së ardhmes”, Këshilli Britanik mat perceptimet e rinisë shqiptare
Këshilli Britanik ka publikuar rezultatet e raportit “Gjenerata e të ardhmes-Shqipëri”e cila zhvillohet për herë të parë duke përfshirë 1.249 të rinj shqiptarë nga fusha të ndryshme të jetës.
Raporti, i cili u bazua në qëndrimet aspiratat dhe nevojat e të rinjve në të gjithë vendin rezultoi se më shumë se tre të katërtat e të anketuarve besojnë se jeta e të rinjve të sotëm është me e mirë se ajo e prindërve të tyre, por standardi i jetesës nuk është i njëjtë me bashkëmoshatarët e tyre në Evropë, teksa edhe mediet sociale ndikojnë negativisht të perceptimi i tyre për të ardhmen.
Sa i përket arsimit edhe pse Shqipëria ka bërë përparim me reformat e saj punësimi mbetet ende sfidë. Ambasadori i Britanisë në Shqipëri, Alastair King-Smith, dhe ministrja e shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, vendosën theksin tek rëndësia e raportit.
“Jam i kënaqur që pata mundësinë të lexoj raportin ‘Gjenerata e të Ardhmes’. Është një hulumtim i thellë që zbulon se si rinia shqiptare e percepton të ardhmen e tyre për sa i përket mundësive arsimore dhe perspektivave të punës. Këta tregues do të na ndihmojnë në përpjekjet tona të përbashkëta për të përmirësuar të ardhmen e rinisë shqiptare, duke krijuar mundësi dhe forcuar marrëdhënien Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri.“
I gjithë rajoni i Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, përballet me prirjen për të emigruar. Sipas raportit, jeta në Shqipëri ka treguar përmirësim në krahasim me përvojat e gjeneratës së mëparshme.
Reformat e zbatuara në lidhje me fëmijët, studentët dhe të rinjtë anembanë vendit, është prioritet i qeverisë, ndërsa kjo vërehet edhe me rritjen e pagës 900 euro e cila do të aplikohet së shpejti në sektorin publik.
Ky është studimi i parë gjithëpërfshirës mbi rininë shqiptare, që nxjerr në dritë përvojat, aspiratat, dëshirat dhe vlerat e gjeneratës së parë të Shqipërisë që rritet në një shoqëri post-komuniste.