Gjermania: Ballkani të anëtarësohet në BE. Krijimi i “zonave gri”, ftesë për ndërhyrjen e Putinit
Gjermania kërkon anëtarësimin sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Në një analizë në kuadër të 20 vjetorit të anëtarësimit të 10 vendeve në BE, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se BE nuk e ka luksin të lejojë krijimin e “zonave gri” në Ballkan apo në Evropën Juglindore pasi ato interpretohen si “ftesë” nga Putini për të ndërhyrë.
“”Zonat gri” politike dhe gjeografike në Ballkan ose në lindje të BE-së janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Ne nuk mund të përballojmë zona të tilla gri, sepse për presidentin rus Vladimir Putin ato janë një ftesë për të ndërhyrë, për të destabilizuar. Ne e dimë të paktën që nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës: Zgjerimi i BE-së sonë sot është gjithashtu një domosdoshmëri gjeopolitike”, shkroi Baerbock.
Ministrja gjermane Baerbock tha se BE nuk duhet të lejojë që qytetarët e Ballkanit Perëndimor të “lëngojnë në dhomën e pritjes”, ndërsa tha se së bashku BE do të jetë më e fortë gjeopolitikisht.
“Ne nuk mund të lejojmë që një brez tjetër i tërë të lëngojë përsëri në dhomën e pritjes së BE-së, siç ishte rasti në Ballkanin Perëndimor. Ne nuk duhet të humbim mundësinë për ta bërë bashkimin tonë më të madh dhe më të fortë -dhe për këtë arsye më të sigurt. Gjenerata e raundit të zgjerimit të vitit 2004 duhej të merrte guximin për të mos u lëkundur nga erërat e kundërta dhe parullat populiste. Brezi ynë tani është përballur me detyrën për të mbrojtur dhe forcuar projektin evropian të paqes dhe lirisë, edhe nëse kushton një sasi e jashtëzakonshme energjie. Reformat janë të nevojshme që kjo të ketë sukses, tha ajo. Kjo përfshin gjithashtu më pak opsione të vetos në Këshillin Evropian”, tha ajo.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Rusia prej më shumë se 2 vitesh po tenton pushtimin e Ukrainës, ndërsa ka rritur edhe ndërhyrjet e saj në rajonin e Ballkanit duke tentuar destabilizimin.
Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Malta dhe Qiproja u pranuan në BE më 1 maj 2004, duke shënuar dhe 20 vjetorin e bahskimit të tyre me familajen evropaine.