Gjermania nis kontrollin e kufijve tokësorë, vendimi vjen pas rritjes së numrit të azilkërkuesve
Policia gjermane nga kjo e hënë ka nisur monitorimin e të gjithë kufijve tokësorë të vendit, sipas një rregulloreje që shënon një ndryshim të madh në zonën Shengen. Deri tani, kontrollet kufitare përfshinin vetëm kufijtë lindorë dhe jugorë, por tashmë për një periudhë gjashtëmujore do të monitorohen edhe kufijtë veriorë dhe perëndimorë, që përfshijnë kufijtë me Danimarkën, Holandën, Belgjikën, Luksemburgun dhe Francën.
Nga viti i kaluar, Gjermania zbaton kontrolle të tilla edhe në kufijtë me Poloninë, Republikën Çeke, Austrinë dhe Zvicrën. Gjermania njoftoi javën e kaluar se do t’i zgjerojë kontrollet kufitare në të nëntë kufijtë e saj tokësorë, si masë për të goditur migracionin e parregullt dhe krimin pas sulmeve të fundit ekstremiste.
Ky vendim u justifikua nga ministrja e Brendshme gjermane, Nensi Fezer për shkak të mbingarkimit të sistemit të azilit dhe fluksit të emigrantëve të parregullt. Kryeministri polak, Donald Tusk kritikoi se Gjermania se do të rrezikonte të gjithë sistemin Shengen me kontrollet e saj të përgjithshme. Kontrollet në kufijtë e brendshëm të zonës Shengen planifikohen vetëm në kushte të caktuara, megjithatë janë vetë shtetet anëtare që vendosin, nëse kushtet janë përmbushur.
Gjermania nuk është e vetmja, që ka zgjeruar kontrollet kufitare. Tetë anëtarë të tjerë të zonës Shengen kanë vendosur ndërkohë kontrolle në kufijtë e brendshëm, përfshirë Francën dhe Austrinë. Kontrolle të tilla arritën kulmin gjatë pandemisë së koronavirusit katër vjet më parë.