Gjermania udhëheq dialogun. Ministri serb bojkoton foton e takimit në Tiranë
Procesi i Berlinit, mekanizmi që Gjermania u ka premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, u ndal të premten në Tiranë me tre qëllime kryesore.
“Perspektiva europiane, zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe krijimi i një atmosfere pajtuese në rajon, përfshirë edhe përmirësimin e performancës ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Ajo që duam të arrijmë është që rigjallërimi i procesit të integrimit europian të vendeve tona të konkretizohet me masa që së pari janë të prekshme nga qytetarët e vendeve tona, duke ndikuar në jetën e tyre të përditshme,” u shpreh ministri i Jashtëm, Igli Hasani.
Por dialogu për paqe në Ballkan duket i vështirë.
Pas takimeve të përbashkëta, ministrja e Jashtme gjermane, e cila bisedoi me homologun serb, Ivica Daçiq (o. Dacic), tha se i ka kërkuar palës serbe të ulë prezencën e forcave të tyre në kufi me Kosovën.
Shefja e diplomacisë gjermane, Analena Berbok (o. Annalena Baerbock) e përshkroi të tensionuar situatën në Ballkan, duke treguar sipas saj edhe zgjidhjen.
“Çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe Prishtinë. Ajo që presim është më shumë gatishmëri për kompromis, më shumë kurajë,” tha ministrja Analena Berbok.