Gjetja e të zhdukurve të komunizmit – Nga Shkodra, shoqatat e ish-të përndjekurve apelojnë për nisjen e kërkimeve
Shoqatat Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve Politikë të Shkodrës dhe Lezhës nga kryeqendra e veriut, i kërkuan institucioneve që u njihet ligjërisht e drejta, që të nisin kërkimet për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarërve, gjatë regjimit komunist, të cilëve nuk u dihet varri.
Ndërsa kreu i Konferencës Ipeshkvnore, imzot Angelo Massafra, apelon që shteti ta përshpejtojë këtë proces i cili, sipas tij, po vonohet për burokraci të ndryshme.
Nga 2017 deri në 2023 janë regjistruar gjithsej 280 kërkesa për gjetjen e eshtarve të të parëve, ndërsa organizatat ndërkombëtare dhe autoritetet vendore flasin për një numër deri në 6 mijë të zhdukur që ende nuk dihet se ku prehen.
Shkodra dhe rrethinat e saj janë ndër zonat më të goditura nga diktatura komuniste, qoftë me të dënuar, internuar, ekzekutuar, vrarë në kufi, përballur me sistemin, me gjyqe dhe ekzekutime publike deri në vitin 1990.