Gjiknuri-opozitës: Garantoj aktivitet të barabartë në Komisionin për Reformën Zgjedhore, mos bllokoni punimet
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri u ka bërë thirrje anëtarëve demokratë që të mos bllokojnë punimet e komisionit. Ai ka deklaruar se PS pranon të gjitha propozimet nga të gjitha flukset e opozitës, ndërsa ka garantuar gjithpërfshirje në komision.
“Opozita e të gjitha rrymave. Përbërja e komisionit ka nga të gjitha flukset politike që i takojnë dhe opozitës. Aassnjë zë aty nuk është i pa përfaqësuar. Pretendimi që ngrihet me veton është për të bllokuar më shumë, sepse nuk prodhon ndonjë gjë pozitive, por pengon njëanshmërinë. Nuk duhet të mbahemi te çështja e vetos sepse bashkëkryetarët nuk kanë ndonjë rol tjetër. Palët kanë ekspertët e përfshirë. I kemi kërkuar zyrtarisht ODIHR për të sjellë ekspertë për të ndihmuar gjetjen e zgjidhjeve që adresojnë rekomandimet kryesore të OSBE-ODIHR nga zgjedhjet e kaluara.
Vullneti i mazhorancës është t’i dëgjojë të gjitha palët. Të gjitha flukset e opozitës në Kuvend të vijnë me propozime konkrete, propozimet e tyre të diskutohen edhe me ekspertët e ODIHR dhe të gjejnë zgjidhje konkretet për propozimet që ata pretendojnë në lidhje me zgjedhjet
I bëj thirrje ju lutem shumë mos pengoni zhvillimin e këtij komisioni. Është në interesin tuaj, Kodi Zgjedhor i duhet Shqipërisë dhe opozitës. PS mund të jetë edhe e qetë në këtë kod Zgjedhor pasi është në pushtet.
Mund të ketë tek-tuk nevojë për të ndrequr disa probleme që kanë dalë nga Gjykata Kushtetuese”, tha Gjiknuri në një deklaratë për media pas përfundimit të mbledhjes online të Komisionit për Reformën Zgjedhore.