Gjithçka gati për Vorë-Hani i Hotit, kosto totale e projektit 415 milion euro
Viti 2025 do të shënojnë nisjen e punimeve për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Në Fletoren Zyrtare është publikuar marrëveshja e kredisë për financimin e kësaj vepre, ku përfshihen të gjitha detajet e projekti.
Projekti synon modernizimin e linjës hekurudhore prej 120 km, e cila do të lidhet në veri me linjën ekzistuese në kufirin me Malin e Zi, ndërsa në jug do të lidhet me linjën e Durrësit dhe Tiranës, e cila aktualisht është në proces modernizimi.
Objektivi kryesor i projektit është përfshirja dhe rikthimi në funksion i kësaj linje hekurudhore, sipas standardeve të Rrjetit Trans-Europian të Transportit Network.
Punimet e këtij projekti madhor do të përfshijnë zgjerim deri në 6.6 m dhe forcim të formacionit, zëvendësimin dhe rehabilitimin te rreth 12 urave kryesore, zgjerimin dhe modernizimin e tunelit të Lezhës, ndërtimin, zëvendësimin dhe rehabilitimin e rreth 13 stacioneve, duke përfshirë ndërtesat e stacioneve, platformat, aksesin/parkingun, përmirësimet e shtrirjes së pistave, ndërtimin e një qendre për kontrollin e trafikut, e të tjerë.
Projekti do te bashkëfinancohet me kredi të dhëna nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, një grant i Bashkimit Evropian dhe qeverisë shqiptare dhe kosto totale, siç vlerësohet nga Banka, është 415,000,000.00 euro duke përfshirë rastet e paparashikuara.