GJKKO “arrest me burg” për 4 shtetas / Miratohet kërkesa e SPAK, lidhur me ngjarjen e gushtit në Bushat

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar miratoi kërkesën e SPAK dhe caktuan masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për tre nga personat nën hetim, mes të cilëve Izmir Sakica, Samuel Troshani të vetëdorëzuar në policinë e Shkodrës, të dyshuar për organizimin e një atentati të mundshëm dhe përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.
Po ashtu, masë të tillë ka marrë edhe për një shtetas tjetër, i cili është akuzuar për tentativë vrasje dhe mbajtje të armëve pa leje.
Sipas hetimeve të zhvilluara nga SPAK, më 23 gusht 2024, personat nën hetim kishin udhëtuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Vau i Dejës, me qëllimin për të vrarë një shtetas dhe familjarët e tij.
Gjatë kësaj periudhe, ata janë përballur me një shkëmbim zjarri nga ky shtetas, por pa pasur të lënduar, vetëm dëme materiale në automjetet e përdorura nga personat nën hetim.
Një nga mjetet ka rezultuar i paregjistruar dhe me targa të huaja.
Më 18 shkurt 2025, pas ekzekutimit të masave të sigurisë për Izmir Sakicën dhe Samuel Troshanin, Policia e Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit shpallën në kërkim dy shtetasit e tjerë, ndërsa në të njëjtën ditë u realizuan kontrolle të shpejta në disa banesa dhe ambiente në qytetin e Shkodrës , që dyshohet të përdoren nga të dyshuarit si baza për strehim dhe mbajtjen e provave.