GJKKO mban sot seancën për verifikimin e masës së sigurisë për Malltezin dhe Bektashin
GJKKO do të mbajë këtë të hënë (23 tetor) seancën për verifikimin e masës së sigurimit për Jamarbër Malltezin dhe Fatmir Bektashin, në lidhje me çështjen e ish-kompleksit “Partizani”.
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi u arrestua më 21 tetor në Aeroportin e Rinasit, pasi sipas SPAK, ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta.
Arrestimi i Malltezit dhe caktimi i masës së sigurisë “detyrim parqitje” për Berishën dhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi, erdhi në kuadër të padisë së depozituar në 2020-ën nga Taulant Balla, që në atë kohë mbante postin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Balla paditi në SPAK, ish-kryeministrin Berisha, ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, dhe dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezin, si përfitues direkt të pronave të kompleksit të ish-klub “Partizani” si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët e aksionerët e dy kompanive ndërtuese në kompleksin “Partizani”.
Akuzat e ngritura:
Sali Berisha- Korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim, neni 260 dhe 25 i K.Penal
Jamarbër Malltezi – Korrupsion pasiv ne bashkëpunim Neni 260 dhe Pastrim i Produkteve ne bashkëpunim me Fatmir Bektashi neni 287 i K.Penal;
Fatmir Bektashi- Korrupsion aktiv dhe pastrim produktesh të veprës penale ne bashkëpunim me Jamarbër Malltezi.