GJKKO nuk i hoqi masën e sigurisë, Berisha: Trakte të shkruara në zyrën e Ramës
Në një deklaratë për mediat, Ish- Kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas zbardhjes së vendimit për masën e sigurisë së dhënë ndaj tij.
Berisha thotë se kjo shkresë është bërë nga Edi Rama dhe se është në kundërshtim me ligjin.
Berisha: Liria e lëvizjes është liri themelore, por Edi Rama dhe larot e tij Gjoka, Kraja, Mellonai e shkelmojnë atë
“Dje, Edi Rama me gjykatësen e shkarkuar për korrupsion nga Sali Berisha, lexoi një trakt të shkruar në zyrat e tij, sipas të cilit, masa e sigurimit personal, e detyrimit për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, dhe masa e ndalimit për të dalë jashtë shtetit, të dhëna ndaj personit Sali Berisha, nuk përbëjnë heqje lirie personale, por një kufizim lirie për të dalë jashtë shtetit”, tha Berisha.
Ndër të tjera Berisha tha se, “Kushtetuta, në nenin 73, pika dy, sanksionon se deputetit nuk mund t’i hiqet liria në çfarëdolloj forme, pa autorizimin e Kuvendit të Shqipërisë”.
Mirëpo, sipas tij, për Edi Ramën dhe mercenarët e tij, liria e lëvizjes jashtë shtetit, nuk përbën liri.
“Kushtetuta e Shqipërisë në kapitullin e të drejtave politike, njerëzore, qytetare, në nenin 38, pika 2, sanksionon se askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit. Liria e lëvizjes jashtë shtetit është një nga liritë kryesore që ligjvënësi e konsideron kaq të rëndësishme sa ta garantojë me Kushtetutë. Liria e lëvizjes është liri themelore në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe njëra nga liritë më themelore në bazë të BE”, përfundoi Berisha.