GJKKO shkresë Kuvendit për masën ndaj Sali Berishës
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dërguar një shkresë Kuvendit ku e informon lidhur me vendimin e marrë ndaj deputetit Sali Berisha, në hetimin për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.
Përmes një shkrese që mban datën 10 nëntor 2023, GJKKO vë në dijeni Kuvendin për vendimin e 26 tetorit 2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me objekt:”Marrjen ne pyetje të personit nën hetim”
Shkresa është protokolluar nga Sekretariati i Kuvendit më 14 nëntor 2023.
Më 26 tetor 2023 gjyqtarja Irena Gjoka caktoi ndaj Berishës masë detyrim paraqitje në një seancë me avokat kryesisht, bashkë me ndalimin për të dalë jashtë vendit, nën akuzë për korrupsion pasiv.
Ndërsa më 6 nëntor gjykata rrëzoi kërkesën e avokatëve të Berishës për të revokuar masën e sigurisë.