GJKKO shtyn vendimin për “arrest në shtëpi” ndaj ish-kryeministrit Berisha
Gjykata e Posaçme për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar edhe të enjten vendosi të shtyjë caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Avokatët mbrojtës të kryedemokratit kërkuan kohë që të paraqitin zyrtarisht kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, duke aluduar për anësi të saj.
“Sot kemi marrë provat që ne mendojmë se mbështesin përjashtimin e gjyqtares. Po zbatojmë ligjin dhe afatet ligjore, sipas Kodit të Procedurës,” u shpreh avokati Genc Gjokutaj.
Mbledhja e radhës e trupës gjyqësore është lënë për të shtunën, 30 dhjetor, në orën 12:00.
Kreu i demokratëve akuzohet nga SPAK si i përfshirë në korrupsion pasiv për sa i përket privatizimit të kompleksit Partizani, në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe të tjerë.
Kompleksi u privatizua në vitin 2008, kur Berisha ishte kryetar qeverie, kundrejt vlerës 100 mijë dollarë, ndonëse prona në qendër të Tiranës shtrihej në një sipërfaqe rreth 10 mijë metra katrorë.
Malltezi u arrestua në tetor me urdhër të prokurorëve specialë, ndërsa ish-presidenti Berisha si i pandehur ka refuzuar të paraqitet personalisht në ambientet e SPAK-ut për të sqaruar rrethanat, mosbindje e cila u bë shkak edhe për kërkesën e Strukturës së Posaçme që ai të zhvishet nga imuniteti politik javën e kaluar.