GJKKO vendos të martën masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha
Ditën e nesërme Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të vendosë mbi masën që do të merret ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha,.
Pasi Kuvendi miratoi autorizimin e kërkuar nga SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës, Struktura e Posaçme iu drejtua Gjykatës më datë 22 dhjetor duke i kërkuar ashpërsimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, Prokuroria e Posaçme kërkon masën “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin Berisha i cili po hetohet nën dyshimet për korrupsion në privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.
Sipas ligjit, Gjykata ka 5 ditë kohë për të marrë në shqyrtimin kërkesën e SPAK dhe gjyqtarja Irena Gjoka pritet që në seancën gjyqësore të ditës së nesërme të thërrasë palët për t’i dërgjuar palët, ku nga njëra anë do të jenë prokurorët e SPAK dhe nga ana tjetër personin nën hetim Sali Berisha dhe avokatët e tij.
Vendimi që pritet të japë gjykata ditën e martë vjen pasi më parë ish-kryeministri refuzoi të zbatonte vendimin e Gjykatës së Posaçme, që kishte caktuar masën e detyrimit për paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
Në seancën plenare të 21 dhjetorit, Kuvendi votoi dhënien e autorizimit për SPAK për masën ndaj ish-kryeministrit Berisha, mes tensioneve të shumta dhe protestës së mbështetësve të Berishës në kundërshtim të këtij vendimi.