Gjykata Kushtetuese nuk pranon pezullimin, lë në fuqi ligjin për Komisionet Hetimore deri në një vendim përfundimtar
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e opozitës për pezullimin e ndryshimeve në ligjin për komisionet hetimore, duke argumentuar se “nuk ka emergjencë dhe vendimi final do të merret së shpejti, nëse do të shfuqizohet apo jo”.
Seanca në Gjykatën Kushtetuese ishte e hapur për mediat, ku palët parashtruan kërkesat e tyre.
Në përmbledhjen e argumenteve të PD, avokati Marsh Logu dhe deputetja Dhurata Çupi argumentuan se ky ligj është në shkelje të Kushtetutës dhe cenon hetimin parlamentar, pasi sipas tyre tashmë “vetë mazhoranca nga e hetuar do të vendos mënyrën se si do të hetohet”.
“Do ishte e paimagjinueshëm të mendohej që të hetuarit, të ktheheshin në subjekt kontrolli dhe të vendosnin ato nëse do hetohen dhe si do të hetohen. Kjo është e paimagjinueshme në një vend demokratik, që me vullnetin e lirë të mazhorancës të vendos nëse do të hetohet apo jo. Ne sot kemi dy komisione hetimore të ngritura dhe puna e tyre po pengohet nga anëtarët e mazhorancës në mënyra të ndryshme”, tha Logu.
Nga ana tjetër përfaqësues të Kuvendit kanë hedhur poshtë kërkesat e opozitës duke i cilësuar si retorikë politike që nuk kanë përmbaje të subjektit ligjor.
Në ligjin e ri për “Komisionet Parlamentare” kanë ndryshuar praktikat e thirrjes së dëshmitarëve në komision si dhe vendos si kusht që nisja e një hetimi parlamentar, të jetë një çështje konkrete dhe të ketë të dhëna të mjaftueshme apo indicie që e bëjnë komisionin të nevojshëm.
Ligji i ri u hartua vetëm nga PS dhe nuk mori dakordësinë e opozitës, e cila e dërgoi atë në Kushtetuese.